Kompensimi për arsimin nga DIVA, Tatimet drejt përfundimit për 2 mijë aplikimet e fundit
Tatimet po përfundojnë verifikimin e rreth 2 mijë aplikimeve për kompensimin e arsimit. Më pas nis disbursimi i pagesave.

Administrata Tatimore pritet të përfundojë së shpejti verifikimin e rreth 2 mijë aplikimeve të mbetura për kompensimin e shpenzimeve arsimore të fëmijëve përmes Deklaratës Vjetore të të Ardhurave Personale (DIVA 2025).
Për Monitor, Tatimet konfirmuan se bëhet fjalë për grupin e fundit të aplikimeve për kompensimin e shpenzimeve të arsimit të fëmijëve, pas njohjes së tyre në deklaratën DIVA 2025. Pas përfundimit të verifikimeve, që pritet të ndodhë së shpejti, do të nisë edhe disbursimi i shumave për përfituesit.
Procesi i verifikimit, i nisur në muajin qershor, është përqendruar te kontrolli i dokumentacionit të aplikuesve, përfshirë faturat e fiskalizuara, numrin e fëmijëve në ngarkim dhe të dhënat e llogarive bankare. Gjatë kësaj periudhe, një pjesë e individëve kanë marrë njoftime për plotësimin ose korrigjimin e dokumentacionit, i cili më pas i është nënshtruar një verifikimi të ri nga administrata tatimore.
Vonesa nga verifikimi i faturave, numrit të fëmijëve dhe llogarive bankare
Sipas burimeve nga Administrata Tatimore, shqyrtimi i kërkesave për kategorinë e individëve që përfitojnë si zbritjen prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë në ngarkim, ashtu edhe zbritjen e shpenzimeve arsimore deri në 100 mijë lekë, ka kërkuar më shumë kohë sesa aplikimet e tjera.
Shkak janë verifikimet shtesë të faturave të fiskalizuara që justifikojnë shpenzimet e deklaruara për arsimimin e fëmijëve, si dhe kontrolli i saktësisë së numrit të fëmijëve në ngarkim.
Tatimet konfirmojnë se vështirësi të veçanta janë hasur në verifikimin e numrave IBAN të llogarive bankare dhe të dhënave për numrin e fëmijëve. Për deklarimin e IBAN-it, shumë individë nuk kanë ndjekur procedurat e kërkuara në sistem, duke bërë të nevojshëm verifikimin e të dhënave edhe me institucionet bankare.
Për të shmangur këto problematika në të ardhmen, Administrata Tatimore ka nisur punën për përmirësimin dhe digjitalizimin e procesit të aplikimit për zbritjen e shpenzimeve përmes DIVA-s gjatë vitit të ardhshëm.
42 mijë tatimpagues kanë përfituar, kompensimet arrijnë në 7 milionë euro
Afati për plotësimin dhe dorëzimin e deklaratës DIVA 2025 përfundoi më 31 mars 2026. Që nga fundi i muajit maj, Administrata Tatimore ka nisur disbursimin e kompensimeve për individët përfitues që kanë deklaruar një ose dy fëmijë në ngarkim.
Sipas të dhënave të deritanishme, rreth 42 mijë tatimpagues kanë përfituar kompensim pas njohjes së zbritjeve të shpenzimeve në DIVA 2025. Shuma totale e kompensimeve të disbursuara arrin në rreth 7 milionë euro.
Ndërkohë, për kategorinë e individëve që përfitojnë njohjen e shpenzimeve arsimore deri në 100 mijë lekë në vit, të dhënat e mëparshme të Tatimeve tregojnë se numri i përgjithshëm i aplikuesve pritet të jetë 2,161 individë. Rreth 2 mijë prej këtyre aplikimeve janë në fazën përfundimtare të verifikimit.
Pas konfirmimit të saktësisë së dokumentacionit, kompensimet për këtë kategori do të kalojnë në llogaritë bankare që aplikuesit kanë deklaruar në sistemin e-Filing.
Kush përfiton zbritjen prej 100 mijë lekësh për shpenzimet arsimore?
Sipas rregullave të zbatueshme për DIVA 2025, nga njohja e shpenzimeve arsimore deri në 100 mijë lekë në vit përfitojnë vetëm individët me të ardhura bruto vjetore deri në 1.2 milionë lekë.
Kjo kategori, gjatë plotësimit të deklaratës, ka pasur të drejtë të përfitojë edhe zbritjen prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë në ngarkim. Ndërsa shpenzimet arsimore deri në 100 mijë lekë duhet të justifikohen me fatura të fiskalizuara, zbritja prej 48 mijë lekësh për çdo fëmijë në ngarkim është përfituar nga të gjithë individët që kanë plotësuar dhe dorëzuar DIVA-n, pavarësisht nivelit të të ardhurave.
Sipas shembujve të publikuar më herët nga Monitor, shumat e kompensimit që mund të përfitojnë individët variojnë nga 62 deri në 250 euro, në varësi të kushteve përkatëse të deklarimit dhe zbritjeve të njohura.
Administrata Tatimore sqaron gjithashtu se e drejta për të aplikuar për kompensim nuk humbet për një periudhë pesëvjeçare, pavarësisht kategorisë së përfituesit. Ndërkohë, afati i parashikuar për shqyrtimin e kërkesës për kompensim nga administrata tatimore është deri në dy muaj.
Me përfundimin e verifikimit të aplikimeve të fundit, pritet të vijojë disbursimi i kompensimeve për individët që kanë deklaruar shpenzimet arsimore të fëmijëve dhe kanë plotësuar dokumentacionin e kërkuar.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)